 Aspiratat e shteteve të Ballkanit Perëndimor për integrim në strukturat evro-atlantike janë aspirata legjitime të cilat do të paqësonin edhe këtë pjesë të kontinentit evropian. Përkundër faktit se autoritetet e Shkupit janë të vetëdijshëm se shtetet që dëshirojnë të aderojnë në BE duhet të plotësojnë të gjitha kushtet në përputhje me synimet e përbashkëta të kontinentit për liri, siguri, demokraci dhe vlera të mirëfillta ato vazhdojnë të funksionojnë me mentalitet të vjetër. Përkundër faktit se autoritetet e Shkupit janë të vetëdijshëm se shtetet që dëshirojnë të aderojnë në NATO duhet të plotësojnë të gjitha kushtet në përputhje me synimet e Aleancës për liri, siguri, demokraci dhe vlera të përbashkëta ato vazhdojnë të funksionojnë me mentalitet të vjetër. Deklarata e kryeministrit të Maqedonisë në Budapest se Maqedonia nuk është e gatshme që ta ndërrojë emrin për anëtarësim në NATO me arsyetim se shkelet identiteti maqedonas nxori në shesh dy aspektet dominante të politikës së Shkupit: arrogancën dhe zhagitjen si dimension i strategjisë së blerjes së kohës. Kur flasim për arrogancë kemi parasysh faktet se autoritetet e Shkupit shkelin në mënyrë më drastike të gjitha komponentët e identitetit të shqiptarëve në Maqedoni: -ndalimin dhe kufizimin e përdorimit të flamurit me të cilin identifikohen shqiptarët për shekuj me radhë, -refuzimin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, të cilën e flasin më shumë se 1/3 e banorëve të Maqedonisë, - diskriminimi në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike, - diskriminimi në ekonomi dhe në punësim, - shkeljet drastike të dinjitetit dhe integritetit fizik të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe pse Maqedonia është nënshkruese e akteve dhe konventave ndërkombëtare kundër diskriminimit, shqiptarët rrihen, poshtërohen, çnjerëzohen, maltretohen, torturohen, dënohen, vriten, masakrohen me bekimin e autoriteteve politike të Shkupit. Po ju rikujtojmë se Sopoti, Bllaca, Breza, Tanusha, Vaksinca, masakra e Brodecit, janë dëshmi të politikës antishqiptare në Maqedoni. Po ju rikujtojmë se sot e kësaj dite në burgjet e Maqedonisë ndodhen shqiptarë të dënuar apo të paraburgosur nën akuza të motivuara politikisht dhe mbi baza të përkatësisë etnike. Po ju rikujtojmë skenat rrëqethëse të pengjeve të Brodecit të cilët edhe të lidhur fyheshin, poshtëroheshin dhe maltretoheshin mbi baza etnike; Po ju rikujtojmë skenat rrëqethëse të torturave mbi baza etnike në stacionin policor të Shkupit; Po tërheqim vërejtjen se kjo politikë antishqiptare e qeverisë së Shkupit krijon tensione të vazhdueshme ndëretnike që rrezikon paqën dhe sigurinë e vendit dhe të rajonit. Përleshjet e nxënësve mbi baza etnike janë alarm për gjithë shoqërinë dhe kërkon qasje serioze. Kufizimi i problemit në relacionin Shkollë/Prindër/Nxënës është kufizim i qëllimshëm për të larguar vëmendjen nga përgjegjësitë e institucioneve politike shtetërore në nxitjen e konflikteve. Deklarata e kryeministrit Gruevski se integrimi do të ndodhë edhe pa respektuar kushtet që lidhen me përmbushjen e standardeve të funksionimit demokratik dëshmojnë se zhagitja si dimension i strategjisë së blerjes së kohës është duke u përdorur edhe në raport me ndërkombëtarët. Prandaj është momenti i fundit që t`u bëhet e qartë autoriteteve të Shkupit se pa plotësimin e të gjitha kushteve që lidhen edhe me respektimin e identitetit shqiptarë të këtij shteti, aspirata e Maqedonisë për integrim në strukturat euro-atlantike, bartë me vete rreziqet e transferimit të problemeve nga konteksti ballkanik në atë evropian. Bashkimi Demokratik Shqiptar |