DEKLARATË PROGRAMORE
Pjesa e dytë e shekullit XX karakterizohet me një luftë të pakompromis në mes dy logjikave: logjikës demokratike me atë totalitare. Konfrontimet e sistemeve politike dhe ekonomike që pasqyronin këto dy logjika do të polarizohen skajshmërisht deri në kapitullimin e logjikës totalitare në dekadën e fundit të këtij shekulli. Përfundimi i “luftës së ftohtë”, që karakterizoi marrëdhëniet ndërkombëtare për gjysmë shekulli, ngjalli shpresa se epoka e re drejtë demokratizimit të shoqërive, që kishin jetuar për shekuj me radhë në sisteme totalitare, do t’u jepte fund marrëdhënieve konfliktuoze. Fatkeqësisht, elitat politike dhe intelektuale, përpos aderimit në dimensionin procedural të demokracisë, vazhduan, me intensitet më të madh, logjikën e ekskluzivitetit të kombit të tyre dhe urrejtjes ndaj tjerëve. Shpresat u fashitën shumë shpejtë kur në vend të “luftës së ftohtë” filloi “lufta e nxehtë” për krijimin e shteteve kombëtare me pasoja të pallogaritshme si në aspektin e jetës dhe dinjitetit të njerëzve ashtu edhe në rrënimet materiale. Përballë pamjeve rrëqethëse që vinin nga luftërat e hapësirës së ish Federatës jugosllave demokracitë perëndimore imponuan interpretimet që synonin të shpjegojnë politikën gjenocidale në këtë pjesë të Ballkanit vetëm si pasojë e regjimeve të udhëhequr nga ish diktatorë komunistë të inspiruar nga mitet mesjetare. Në të njëjtën kohë krijuan iluzionin se me largimin e diktatorëve nga skena politike mund të tejkalohen lehtë problemet e akumuluara gjatë shekujve. Kjo qasje nuk merr parasysh thelbin e problemeve: vizionet për krijimin e shteteve kombëtare në këtë pjesë të Ballkanit Shkaku kryesor i përmasave tragjike të konflikteve në këtë pjesë të Ballkanit qëndron në vizionet për hapësirën shtetërore. Sepse nuk mund të ketë luftë për krijimin e shteteve kombëtare, pa pasur, paraprakisht, vizionin për hapësirën gjeografike në të cilën duhet të shtrihen kufijtë e shtetit përkatës. Politika e krijimit të shteteve kombëtare ne Ballkan, shoqërohej me një politikë ekspansioniste dhe ekspulsioniste (dëbuese). Përqendrimi në këtë aspekt ka rëndësinë vendimtare, sepse na mundëson të shohim bazën ideologjike të praktikave gjenocidale. Me një fjalë, vizioni për shtetin me hapësirë të madhe dhe « pa tjerët » do të projektojë praktika të tilla që do të synojnë « pastrimin » e territorit nga etnitë tjera. Logjika e tillë e perceptimit të hapësirës shtetërore, për aq sa mund të argumentohen me fakte, do të jetë dominante për gati dy shekuj. Vizioni për hapësirën shtetërore dhe praktikat për realizimin e saj nuk janë instrumente të arritjes së një qëllimi mitik, por përkundrazi, thurja e miteve ka të bëje me mekanizmat që përdoren për të « arsyetuar » vizionet e lartpërmendura. Gjatë shekullit 19 dhe 20 mitet ndryshuan disa here por « vizioni i shtetit pa tjerët » mbeti i njëjtë. Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Jugosllavia e Versajës, Jugosllavia e Titos dhe të gjitha Jugosllavitë tjera, pa përjashtim, aplikuan politikat shfarosëse dhe diskriminuese « ndaj tjerëve » dhe sidomos ndaj shqiptarëve. Të njëjtën logjikë e kanë ndjekur edhe autoritetet e Maqedonisë në raport me shqiptarët që nga themelimi si republikë në kuadër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Si pasojë e dhunës dhe diskriminimit permanent me dhjetëra mijëra shqiptarë dëbohen për në Turqi ndërsa qindramijëra të tjerë marrin rrugën e emigracionit ekonomik.
Distancimi nga ideologjia që shkaktoi kaq fatkeqësi në këtë pjesë të Evropës, duhet të jetë një nga parakushtet për integrimet në vlerat euro-amerikane. Duhet të jemi kategorik që të dënohet vizioni politik, i cili arsyeton përdorimin e praktikave gjenocidale për realizimin e « shteteve të mëdha». Pra, pa dënimin e gjeneratorit të krimeve, dënimi i kriminelëve dhe kufizimi në përgjegjësitë penale individuale, nuk do të kishte kuptim ngadhënjimi i drejtësisë ndërkombëtare mbi krimin. Shpartallimi i ish- Federatës jugosllave,shqiptarët autokton i copëtoi përsëri në dy shtete të pavarura (Federata Serbi- Mal i Zi, dhe Maqedonia). Mungesa e një strategjie adekuate e demokracive perëndimore përballë kontekstit të ri historik u interpretua si “tolerancë” ndërkombëtare dhe inkurajoi regjimet në fjalë të zbatojnë në sistem dhunën dhe gjenocidin për të realizuar vizionin shtetëror “të shtetit të pastër etnik”. Megjithëse pasojat ishin tragjike, falë rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimit të NATO-s, regjimi i Beogradit s´mundi të realizojë politikën gjenocidale. E njëjta mungesë e strategjisë ndërkombëtare u dëshmua edhe në rastin e Maqedonisë. Ende pa përmbushur kushtet e parashtruara nga Komisioni i Badinterit u bë njohja e Maqedonisë si shtet i pavarur. « Klasa e re politike » e Maqedonisë, e dalur nga sistemi i vjetër komunist, në vend që t`i përmbushë obligimet që dalin nga ky komision dhe të bëjnë tranzicionin drejtë një sistemi të mirëfilltë demokratik, vazhdoi politikën e ekskluzivitetit etnik dhe i hapi luftë kërkesës sonë për t`u trajtuar si komb shtetformues. Diskriminimi sistematik i shqiptarëve në Maqedoni do të krijojë rrethanat e favorshme për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe shpërthimin e luftës së armatosur (2001). Komuniteti ndërkombëtar, duke nxjerrë mësime nga përvojat e luftërave në këtë pjesë të Ballkanit, tregoi vendosmëri duke parandaluar shtrirjen dhe intensitetin e luftimeve, të cilat mund të merrnin përmasa të paparashikueshme. Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur dhe hapi shteg, që problemet politike të zgjidhen me dialog politik. Në vend të përkushtimit për realizimin e plotë të marrëveshjes, filluan opstruksionet dhe shantazhet ndaj shqipëtarëve. U imponua një preambulë, e cila nuk është në frymën e kësaj marrëveshjeje. Kushtetuta ngërthen në vete zbrazëti të qëllimshme, përmes së cilave, në vend të avancimit kemi degradimin e të drejtave të shqiptarëve në rrafshin politik, ekonomik dhe social. Për interesa joparimore, përfaqësuesit e partive politike shqiptare pranuan pozitën inferiore dhe përçmuese, të sanksionimit me ligj të të drejtave të shqiptarëve dhe ranë në grackën e spekulimeve statistikore. Në vend të realizimit të të drejtave në përputhje me vlerat euro-amerikane, dominoi politika diskriminuese. Edhe gjashtë vite pas marrëveshjes së Ohrit, pozita e shqiptarëve është tejet e rëndë: -në vend që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe përdorimi i flamurit të jetë i rregulluar në përputhje me mënyrën se si shoqëritë demokratike rregullojnë diversitetin etnik ; -në vend që përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i shqiptarëve në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike të ishte rregulluar si në aspektin kuantitativ ashtu edhe në atë kualitativ ; -në vend që të ishin përpiluar politika zhvillimore për të hequr dallimet etnike dhe regjionale ne zhvillim dominoi logjika e vjetër.
Qasja me mentalitet të vjetër politik arriti kulmin, kur nga foltorja e parlamentit kryeministri i koalicionit aktual shpalosi strategjinë antishqiptare, duke i ironizuar shqiptarët se ata mund vetëm të ëndërrojnë të jenë të barabartë në këtë shtet.
Arroganca e koalicionit qeveritar dhe injorimi i kërkesave të shqiptarëve ka krijuar pakënaqësi të mëdha, të cilat mund të gjenerojnë kriza të pakontrollueshme. Vizioni për të ardhmen, ndërtohet në mënyrë të domosdoshme, mbi bazën e distancimit nga vizionet që bazohen në ekskluzivitet etnik dhe mitet që e shoqërojnë. Situatën politike, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve në Maqedoni e rrëndon edhe më tepër mënyra despotike e funksionimit të partive politike. Karakteristikë dominante e mënyrës së funksionimit ka qenë mënjanimi permanent i potencialit patriotik dhe intelektual dhe avancimi i mediokritetit dhe servilizmit. Në këtë kontekst historik kur priten vendime me rëndësi jetike për regjionin, lind domosdoshmëria e bashkimit të potencialit të gjithmbarshëm të shqiptarëve që nuk pajtohen me këtë përfaqësim jodinjitoz të interesave kombëtare. Të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e riorganizimit politik me qëllim të realizimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve, vendosëm të themelojmë partine : Bashkimi Demokratik Shqiptar. Bashkimi Demokratik Shqiptar hap një perspektivë të përbashkët rreth një projekti për ardhmërinë demokratike të vendit. Forma aktuale e organizimit shtetërorë dhe mënyra e funksionimit, nuk janë në përputhshmëri me nevojat dhe synimet drejtë strukturave euro-amerikane. Ky synim i përbashkët i mbarë regjionit, shtron si domosdoshmëri ndryshimet thelbësore në të gjitha strukturat e shoqërisë që të instalohet demokracia si kulturë ku diversitetet etnike do të gjejnë hapësirën e domosdoshme të shprehin vlerat e mirëfillta. Bashkimi Demokratik Shqiptar hap dyert e një hapësire të re, ku çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë në realizimin e të drejtave tona, do të ketë mundësi të shpalosë vlerat dhe kualitetet individuale. Bashkimi Demokratik Shqiptar mbështetet në idealin për liri, i cili qëndron në themelet e demokracisë liberale, të atij liberalizmi që siguroi reformat më të rëndësishme shoqërore : demokracinë parlamentare, zgjedhjet e lira, arsimimin e obligueshëm, sigurinë shoqërore, barazinë gjinore, të atij liberalizmi autentik që ngërthen në vete demokracinë, iniciativën individuale dhe kolektive, barazinë shoqërore dhe etikën politike… Në kohën kur zhgënjimi është i madh dhe abstensionizmi në rritje, Bashkimi Demokratik Shqiptar fton për një mobilizim të gjithanshëm individual dhe shoqëror, për një përgjegjësi publike dhe angazhim konsekuent në krijimin e lirisë, barazisë dhe solidaritetit.
Tetovë, 09 shtator 2007 |